Përmes një njoftimi në profilin e vet zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të futbollistit 28 vjeçarit, Bledar Hajdari në fushë të lojës.
“FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Në këto momente të vështira, Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlotarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë.” shkruan FSHF në postimin zyrtar.
Futbollisti Bledar Hajdari 28 vjeç, i skuadrës së Dajtit, ka pësuar atak kardiak në fushë gjatë ndeshjes që luhej në “Shtëpinë e Futbollit”, pranë selisë së FSHF-së.
Gjatë ndeshjes futbollisti i FC Dajit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është rrëzuar në fushën e lojës.
Pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë.
Pak kohë më parë, në nëntor të vitit 2023, humbi jetën edhe futbollisti 24 vjeçar nga Gana, Raphael Dwamena.