POLITIKË
2 minuta leximi
Pavarësisht pezullimit të shpallur nga qeveria, Spanja vazhdon të blejë armë nga Izraeli
Spanja ka nënshkruar dhe formalizuar 40 kontrata armësh me Izraelin që nga tetori 2023, raporton e përditshmja spanjolle El Diario.
Pavarësisht pezullimit të shpallur nga qeveria, Spanja vazhdon të blejë armë nga Izraeli
Pavarësisht pezullimit të shpallur nga qeveria, Spanja vazhdon të blejë armë nga Izraeli / AA
24 Prill 2025

Pavarësisht premtimeve të qeverisë për të pezulluar blerjet e armëve nga Izraeli, Spanja ka nënshkruar ose formalizuar 40 kontrata për furnizime ushtarake me kompani izraelite që nga tetori 2023, raportoi të enjten e përditshmja spanjolle El Diario.

Lajmi vjen një ditë pasi mediat spanjolle raportuan se policia spanjolle bleu municione në vlerë prej 6,6 milionë eurosh (7,5 milionë dollarë) nga një kompani izraelite, megjithëse qeveria ishte zotuar se do ta anulonte atë kontratë specifike.

Blerja shkaktoi përçarje brenda qeverisë së koalicionit të majtë në Spanjë, ku partneri më i vogël i koalicionit, Sumar, e cilësoi si një “shkelje flagrante” të angazhimeve të qeverisë dhe kërkoi “korrigjimin e menjëhershëm” të marrëveshjes.

Megjithatë, El Diario, duke iu referuar një raporti të ardhshëm nga Qendra Delas për Studime të Paqes, tha se kjo kontratë është vetëm “maja e ajsbergut”.

Raporti thotë se Spanja ka lidhur marrëveshje armësh në vlerë prej 1,04 miliardë eurosh me kompani izraelite që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gaza.

Dhjetë nga 40 kontratat pretendohet se janë përfunduar pas tetorit 2024, muaji kur Ministria e Mbrojtjes së Spanjës njoftoi se kishte ndaluar të gjitha blerjet ushtarake nga Izraeli. Nëntë kontrata janë nisur, mirëpo presin ende finalizimin.

Midis marrëveshjeve në pritje janë dy kontrata të mëdha: një blerje prej 576 milionë euro për sistemin raketor SILAM, i bazuar në teknologjinë PULS të firmës izraelite Elbit, dhe një blerje prej 237 milionë euro për raketat SPIKE, e dhënë kompanisë PAP Tecnos, degë spanjolle e Rafael Advanced Defense Systems të Izraelit.

Kontratat e finalizuara përfshijnë artikuj si municione, sisteme të luftës elektronike, pllaka balistike dhe pajisje për programimin e predhave.

Ministria e Mbrojtjes i tha El Diario-s se disa nga këto programe janë “të pazëvendësueshme”, një term që përdoret për të justifikuar vazhdimin e transaksioneve.

Kompanitë izraelite të përfshira në kontrata kanë reklamuar armë si raketat SPIKE si të “testuara në betejë” në Gaza, çka ka ngritur shqetësime etike dhe ligjore.

Qeveria progresiste e Spanjës ka qenë ndër kritiket më të ashpra të Izraelit në BE dhe ka njohur shtetësinë palestineze vitin e kaluar.

Megjithatë, kritikat në rritje nga politikanë të majtë dhe aktivistë e akuzojnë qeverinë për hipokrizi për dështimin në përmbushjen e zotimit për të ndalur tregtinë e armëve me Izraelin.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us