RAJONI
3 minuta leximi
Në Prishtinë ekspozohen 500 kristale për 100 vjetorin e Trepçës
Ekspozimi i këtyre kristaleve u konsiderua si një gjest simbolik dhe i fuqishëm që pasqyron trashëgiminë industriale, rezistencën dhe identitetin e njërit prej emrave më të rëndësishëm të historisë ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.
Në Prishtinë ekspozohen 500 kristale për 100 vjetorin e Trepçës
Në Prishtinë ekspozohen 500 kristale për 100 vjetorin e Trepçës / TRT Balkan
18 Qershor 2025

Me rastin e 100 vjetorit të Trepçës, në Prishtinë është hapur ekspozita artistike me 500 kristale të nxjerra nga minierat e Trepçës në Kosovë. 

Të ftuar të ndryshëm, nga përfaqësues të institucioneve, si zv/kryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, përfaqësues nga Zyra e Presidentes, anëtarë të partive politike, artistë dhe gazetarë morën pjesë në hapjen e kësaj ekspozite në “Reporting House” në qendër të Prishtinës.

Ekspozimi i këtyre kristaleve u konsiderua si një gjest simbolik dhe i fuqishëm që pasqyron trashëgiminë industriale, rezistencën dhe identitetin e njërit prej emrave më të rëndësishëm të historisë ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

“Mineralet që i shihni këtu duke qëndruar pezull, të cilat duken thuajse janë pjesë e momentit të një Shpërthimi të Madh të universit, janë dhurata të cilat Trepça na i ka dhënë me zemërgjerësi. Këto minerale janë nxjerrë nga 750 metra thellësi nëntokësore nga minatorë të cilët ende punojnë në kushte të vështira, në temperatura deri në 50 gradë Celsius, në lagështi, papastërti, pluhur dhe pa pajisje mbrojtëse”, thuhet në pllakën informuese të ekspozitës.

Thuhet se xehet e plumbit dhe zinkut nga këta gurë të nxjerrë në mënyrë primitive dhe me metoda të vështira, përfundojnë në xhepin e njerëzve, në teknologjitë moderne siç janë telefonat mobil që i përdorin njerëzit.

“Plumbi dhe zinku i Trepçës përdoren edhe në bateritë e veturave. Këto kristale, të papërpunuara dhe ndriçuese e shumë mbresëlënëse janë më shumë se një mrekulli gjeologjike. Ato janë kalendar i historisë, dëshmitare të heshtura të mundit, rrjedha e moçme kohore e të cilave tashmë është ndërthurur me dekadat e fundit të rezistencës dhe çlirimit tone”, përfundon mesazhi.

Autori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi, para hapjes së ekspozitës tha se instalacioni nuk është vetëm një festë vizuale, por edhe një thirrje për kujtesë dhe vazhdimësi ndaj të kushtuarit rëndësi të Trepçës.

Ejupi tha se kristalet qëndrojnë në mbajtëse të telit, për të krijuar një mënyrë teatrale të instalimit të gurëve.

Trepça është një minierë e lashtë plumbi, zinku, argjendi, kristalesh dhe mineralesh të ndryshme në Kosovë, gjegjësisht në komunën e Mitrovicës. Ajo në kohën e ish-Jugosllavisë ishte njëri ndër motorët e ekonomisë, por vitet e fundit të shekullit të kaluar u bë fillimi i fundit të ish-Jugosllavisë, me kryengritjet e punëtorëve shqiptarë.

Në nëntor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me ç‘rast e transformoi Trepçën në shoqëri aksionare, ku 80 për qind të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind të aksioneve në pronësi të punëtorëve të Trepçës.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us