TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye forcon sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore për shkak të tensioneve Izrael–Iran
Gjatë një video-konference me komandantët, Güler theksoi se Türkiye po e ndjek me kujdes situatën që nga fillimi i sulmeve dhe po ndërmerr “masa gjithëpërfshirëse” për të siguruar territorin e saj.
Türkiye forcon sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore për shkak të tensioneve Izrael–Iran
Türkiye forcon sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore për shkak të tensioneve Izrael–Iran / TRT Balkan
9 orë më parë

Türkiye ka forcuar sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore si përgjigje ndaj përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, ndërsa ministri i Mbrojtjes Yaşar Güler të mërkurën dënoi sulmet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit dhe paralajmëroi për destabilizim rajonal. 

Gjatë një video-konference me komandantët, Güler theksoi se Türkiye po e ndjek me kujdes situatën që nga fillimi i sulmeve dhe po ndërmerr “masa gjithëpërfshirëse” për të siguruar territorin e saj.

“Sipas direktivave të presidentit tonë, veprojmë me një paradigmë proaktive të sigurisë. Në koordinim të ngushtë me institucionet tona përkatëse, po vlerësojmë të gjitha skenarët që mund të ndikojnë në vendin tonë”, tha ai.

Ai dënoi “sulmet e paligjshme të Izraelit të nisura kundër Iranit, vendit tonë fqinj, të premten e kaluar”.

“Operacionet e paligjshme të Izraelit, fillimisht në Gaza, më pas në Liban, e tani edhe në Iran zbulojnë qartë synimin e tij për të përhapur konfliktin në të gjithë rajonin.”

“Izraeli me veprimet e tij po e tërheq rajonin tonë në kaos”, tha ministri i Mbrojtjes, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të veprojë urgjentisht për të ndalur veprimet arbitrare të Izraelit që synojnë përfshirjen e rajonit në rrëmujë”.

Ministri i Mbrojtjes prezantoi gjithashtu strategjinë afatgjatë të mbrojtjes së Türkiyes, përfshirë zhvillimin e një sistemi të integruar të mbrojtjes ajrore të quajtur “Kupola e Çeliktë”.

Pritet që ky sistem të funksionojë në bashkëpunim me avionin luftarak vendas “Kaan” dhe një sërë sistemesh raketore.

“Nën udhëheqjen e presidentit tonë, qëllimi ynë më i madh është të arrijmë kapacitetin më të lartë të mbrojtjes për të mbrojtur atdheun tonë nëpërmjet sistemit tonë të mbrojtjes ajrore ‘Kupola e Çeliktë’,” tha Güler.

Ai konfirmoi vendosmërinë e Türkiyes jo vetëm për të vëzhguar, por edhe për të ndikuar në zhvillimet në rajon.

“Do të vazhdojmë të zbatojmë në mënyrë efektive politikat tona mbrojtëse dhe të sigurisë shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm pa hezitim,” shtoi Güler.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us