Droni më i ri luftarak turk i prodhuar në vend, Bayraktar TB3, ka kaluar një tjetër fazë të rëndësishme testimi në aeroplanmbajtësen me pistë të shkurtër TCG Anadolu, duke arritur në mbi 100 fluturime të suksesshme.
Sipas një njoftimi të kompanisë Baykar të martën, testet e Bayraktar TB3 – droni i parë luftarak pa pilot në histori që mund të ngrihet dhe të ulet në mënyrë plotësisht autonome nga një anije me pistë të shkurtër janë realizuar me sukses në TCG Anadolu.
Gjatë testeve më të fundit, të zhvilluara mes 28 majit dhe 2 qershorit, u testua edhe aftësia për ngritje dhe ulje plotësisht automatike me mbështetjen e inteligjencës artificiale vizuale.
U testuan me sukses edhe aftësi të tjera kyçe si ndjekja vizuale e vijës, zbulimi i aeroplanmbajtëses, njohja e pistës dhe vlerësimi i këndit të uljes duke përdorur pamjen nga toka.
Mbi 1.167 orë fluturim
Me testet e fundit, Bayraktar TB3 ka kaluar pragun e 100 fluturimeve duke arritur në 101 misione luftarake. Gjatë këtyre misioneve nga anija, droni kombëtar ka kaluar gjithsej 1.167 orë e 8 minuta në ajër.
Numri i përgjithshëm i fluturimeve në kuadër të të gjithë programit testues ka arritur në 709. Gjatë një testi të zgjatur fluturimi më 20 dhjetor 2023, droni fluturoi pandërprerë për 32 orë dhe përshkoi një distancë prej 5.700 kilometrash.
Bayraktar TB3 u ngrit për herë të parë nga TCG Anadolu më 19 nëntor 2024, duke shënuar një pikë kthese në historinë e aviacionit botëror.
Në periudhën nga 25 deri më 27 mars 2025, droni UCAV konfirmoi më tej aftësitë e tij me goditje precize ndaj objektivave detarë duke përdorur raketën supersonike UAV-122 të prodhuar nga kompania ROKETSAN.
Në këtë test, shënjestrimi me lazer nga ajri u krye nga Bayraktar TB2, duke demonstruar koordinimin e suksesshëm të dy dronëve UCAV në goditjen e një objektivi të përbashkët.
Baykar, lider në eksportin e dronëve luftarakë
Baykar, prodhuesi i Bayraktar TB3, ka qenë lider në eksportin e industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit në vitet 2021, 2022 dhe 2023, sipas të dhënave nga Sekretariati i Industrisë së Mbrojtjes dhe Asambleja Turke e Eksportit (TIM).
Që nga fillimi i procesit të kërkimit dhe zhvillimit për dronët në vitin 2003, Baykar ka realizuar 83 për qind të të ardhurave të saj nga eksporti.
Në vitin 2023, kompania eksportoi dronë me vlerë 1,8 miliard dollarë dhe u rendit ndër dhjetë eksportuesit më të mëdhenj në të gjitha sektorët në Türkiye.
Si kompani udhëheqëse në eksportin global të dronëve pa pilot, Baykar vazhdoi suksesin edhe në vitin 2024, duke realizuar sërish të ardhura prej 1.8 miliardë dollarësh, 90 për qind e të cilave erdhën nga eksporti.
Në vitin 2023, Baykar realizoi e vetme një të tretën e të gjithë eksportit të sektorit, ndërsa në vitin 2024, një të katërtën, duke e bërë Türkiyen lider global në eksportin e dronëve luftarakë.
Gjiganti turk i dronëve ka nënshkruar marrëveshje eksporti me 35 shtete për Bayraktar TB2 dhe me 15 shtete për Bayraktar Akıncı.