SPORT
4 minuta leximi
“Dueli” Shqipëri–Serbi, policia publikon planin e masave dhe ngre apel për tifozët
Shqipëria do të përballet me Serbinë për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ndeshje e cila do të zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
“Dueli” Shqipëri–Serbi, policia publikon planin e masave dhe ngre apel për tifozët
“Dueli” Shqipëri–Serbi, policia publikon planin e masave dhe ngre apel për tifozët / ATA
7 Qershor 2025

Shqipëria do të përballet me Serbinë për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ndeshje e cila do të zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”. 

Në funksion të kësaj ndeshjeje me rëndësi të lartë, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të posaçme për të garantuar rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Masat e sigurisë dhe kufizimet në qarkullim

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës ka bërë të ditur se nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së ShBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.

Kontrollet dhe ndalimet

Në zbatim të planit të masave, policia do të kryejë kontrolle të imtësishme të tifozëve në hyrje të stadiumit, për të ndaluar banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarret, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikues të celularëve, mjete/produkte për përdorim kozmetik dhe sende të tjera të forta.

Gjithashtu, Policia ka bërë apel për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përrreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë.

Sanksionet sipas Kodit Penal

“Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj” , deklaron policia.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Policia kërkon mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium.

Gjithashtu, apelon për tifozët dhe sportdashësit që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen në kundërshtim me ligjin. Çdo biletë është e pajisur me barcode, është personale dhe duhet të mbahet vetëm nga shtetasi që e posedon, i cili sipas radhës, do të kalojë vetëm, për t’iu kontrolluar barcode nga pajisja që regjistron automatikisht çdo tentativë për të hyrë me biletë të falsifikuar ose të dublikuar.

“Ju informojmë se dublikimi/shumëfishimi i biletës, konsiderohet falsifikim dhe mashtrim, vepra të cilat ndëshkohen nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, deklaron Policia.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us