Është shënuar në Kosovë Dita Botërore kundër Duhanit, me moton e sivjetme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) "Produkte të ndritshme, qëllime të errëta".
Me rastin e shënimit të kësaj dite, në Prishtinë u zhvillua një konferencë për media ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë (MSH), përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK), përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe përfaqësues nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim në Kosovë (KADC).
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se motoja “Produkte të ndritshme, qëllime të errëta”, vë në pah përpjekjet e vazhdueshme të industrisë së duhanit për të mashtruar publikun dhe të rinjtë për dunanin dhe produktet e tij.
"Duke u munduar të paraqiten produktet e reja si cigaret elektronike, 'vapes', 'shisha' dhe E.N.D.S (Sistem elektronik i pranimit të nikotinës) si alternativa moderne, tërheqëse dhe gjoja të padëmshme për shëndetin, por, dëshmitë shkencore dhe realiteti natyrisht që është ndryshe. Pas dritës së reklamave fshihen qëllime të errëta. Kjo e ka një çmim të lartë për individin, shoqërinë dhe shtetin tonë, pasi që, sjell pasoja të rënda shëndetësore dhe barrë të lartë financiare", theksoi Vitia.
Vitia tha se sot në botë, mbi 8 milionë njerëz humbin jetën çdo vit nga përdorimi i duhanit. Në Kosovë, sipas ministrit Vitia, përdorimi i duhanit tek të rriturit është në rënie krahasuar me vitin 2011, apo hulumtimin paraprak.
Përfaqësuesi i KADC, Arben Lila tha se industria e duhanit dhe nikotinës po zhvillon taktika të sofistikuara për të shënjestruar të rinjtë.
"Përmes influencerëve përmes produkteve sociale, përmes paketimeve me dizajn atraktiv dhe përmes sponsorizimeve të ngjarjeve rinore, të sportit, të cilat synojnë normalizimin e konsumimit. Këto janë mënyra të kamufluara por tepër të fuqishme për të tërhequr brezat e rinj që dëmton jo vetëm shëndetin fizik e mental, por edhe të ardhmen e tyre", theksoi Lila.
Ai theksoi se institucionet përgjegjëse në Kosovë nuk duhet të lejojnë që fëmijët të bëhen treg i ri për duhanin, duke ndaluar me ligj çdo reklamim të produkteve të nikotinës dhe duke ndaluar shijet e ëmbla në duhan, të cilat janë tërheqëse për fëmijët.
Dita Botërore Pa Duhan festohet në mbarë botën çdo vit më 31 maj, me qëllim të informimit të publikut mbi rreziqet e përdorimit të duhanit, praktikat e biznesit të kompanive të duhanit, çfarë po bën OBSh-ja për të luftuar kundër përdorimit të duhanit dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për shëndetin dhe një jetë të shëndetshme.