Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se duhet të arrihen rezultate nga takimet midis delegacioneve për bisedime të nivelit të lartë në çështjen e Ukrainës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Moskë, Peskov tha se ekipi negociator rus po niset për në Istanbul.
Peskov theksoi se çështja e sigurisë evropiane duhet të konsultohet me evropianët. "Nuk mund të bëjmë pa ta. Por, në agjendën e takimit që do të mbahet në Istanbul të hënën do të jenë negociatat e drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë", tha ai.
Duke theksuar se delegacioni rus do të jetë gati për negociatat e 2 qershorit në Istanbul, Peskov tha se "Ekipi negociator rus po niset për në Istanbul dhe do të jetë gati për raundin e dytë të negociatave të hënën në mëngjes".
Ndaj pyetjes në lidhje me mundësinë e një samiti në Türkiye midis Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, Presidentit rus Vlladimir Putin, Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Presidentit të ShBA-së Donald Trump, Peskov u përgjigj se "Para një takimi të tillë, duhet të merren rezultate nga bisedimet e drejtpërdrejta midis delegacioneve të të dyja vendeve. Nëse merren rezultate, sigurisht që mund të flasim për kontakte të nivelit të lartë".
Ai ka theksuar se shpresojnë që memorandumet e përgatitura nga Rusia dhe Ukraina do të diskutohen në raundin e dytë të bisedimeve nëIst Istanbul.
"Tani për tani, të gjithë po përqendrohen në negociatat e drejtpërdrejta Rusi-Ukrainë. Po punohet për të hartuar një listë të kushteve të përkohshme të armëpushimit. Bashkë me këtë siguria e lundrimit në Detin e Zi do të bëhet në një mënyrë pjesë e zgjidhjeve të ardhshme", tha Peskov.