Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) ka shtyrë seancën për çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim ka kërkuar revokimin ose zëvendësimin e masës së arrestit në burg, ndërkohë sot ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore për kërkesën e tij.
GjKKO-ja konfirmoi se seanca është shtyrë për më 23 prill, pasi avokatët e Veliajt kanë kërkuar kohë të njihen me aktet e depozituara nga prokurorët.
Veliaj kundërshton masën arrest në burg, ndërkohë në seancën e ardhshme pritet të merret një vendim në lidhje me masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj
Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015 ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.