BOTA
3 minuta leximi
ShBA-ja kërcënon Harvardin me ndalim të pranimit të studentëve të huaj
"Harvardi, duke u përkulur ndaj antisemitizmit, i shtyrë nga lidershipi i tij pakurrizor, ushqen trazira ekstremiste dhe kërcënon sigurinë tonë kombëtare", tha Sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, në një deklaratë.
ShBA-ja kërcënon Harvardin me ndalim të pranimit të studentëve të huaj
ShBA-ja kërcënon Harvardin me ndalim të pranimit të studentëve të huaj / TRT Balkan
17 Prill 2025

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) kërcënoi se do ta revokojë të drejtën e Universitetit të Harvardit për të regjistruar studentë të huaj nëse nuk dorëzon të dhëna të detajuara për disa studentë nga jashtë. 

"Harvardi, duke u përkulur ndaj antisemitizmit, i shtyrë nga lidershipi i tij pakurrizor, ushqen trazira ekstremiste dhe kërcënon sigurinë tonë kombëtare", tha Sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, në një deklaratë.

"Me ideologjinë antiamerikane, pro Hamasit që helmon kampusin dhe klasat e tij, pozicioni i Harvardit si një institucion kryesor i arsimit të lartë është një kujtim i largët", shtoi ajo.

Ajo i dha Harvardit afat deri më 30 prill për të ndarë "të dhënat e detajuara mbi aktivitetet e paligjshme dhe të dhunshme të mbajtësve të huaj të vizave studentore në Harvard". Nëse nuk e zbaton këtë, paralajmëroi ajo, universiteti "do të përballet me humbjen e menjëhershme të certifikimit të Programit të Studentëve dhe Shkëmbimit të Vizitorëve (SEVP).

Sipas DHS-së, Certifikimi SEVP lejon universitetet amerikane të lëshojnë dokumente që u mundësojnë studentëve ndërkombëtarë të aplikojnë për viza. Sipas Harvardit, universiteti ka 6.793 studentë të huaj, duke përbërë 27,2 për qind të regjistrimit të tij për vitin akademik 2024–2025.

Paralajmërimi i Noemit erdhi pasi administrata e Trumpit tërhoqi më shumë se 2,2 miliardë dollarë fonde federale nga Harvardi të hënën pasi refuzoi t’i zbatonte reformat e politikave të detyruara nga qeveria.

Ndër ndryshime të tjera, administrata i ka bërë thirrje universitetit të heqë politikat e tij të diversitetit, barazisë dhe inkluzionit dhe të ndalë pranimet e studentëve ndërkombëtarë që konsiderohen "armiqësorë ndaj vlerave amerikane, përfshirë studentët që mbështesin terrorizmin ose antisemitizmin".

Duke mbrojtur ngrirjen e financimit, administrata e Trumpit ka thënë se universitetet duhet t’i respektojnë ligjet për të drejtat civile dhe të ndalojnë ngacmimin e studentëve hebrenj, pa dhënë asnjë shembull.

Një task-forcë federale paralajmëroi se është "koha që universitetet elitare ta marrin seriozisht problemin". Trump kërcënoi gjithashtu të martën se do t'i heqë Harvardit statusin e përjashtimit nga taksat.

Administrata u ka hequr vizat më shumë se 525 studentëve dhe hulumtuesve në mbi 80 institucione të ShBA-së, duke u justifikuar me shkelje që variojnë nga dyshimet për mbështetje për organizatat terroriste deri te kundërvajtjet e vjetra.

Në fillim të kësaj jave, zyrtarët e imigracionit të SHBA-së arrestuan studentin e Universitetit Columbia, Mohsen Mahdawi, një organizator kryesor i demonstratave pro Palestinës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka thënë se aktivizimi i Mahdawit "mund ta minojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme duke përforcuar ndjenjat antisemitike", raportoi "New York Times".

Mahdawi ishte posedues i kartës së gjelbër për qëndrim të përhershëm që nga viti 2015.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us