Aeroporti i Istanbulit, i cili vitin e kaluar ishte aeroporti i dytë më i ngarkuar në Evropë, të enjten nisi zyrtarisht operacionet e njëkohshme me tri pista të pavarura.
Me këtë sistem, Aeroporti i Istanbulit është bërë aeroporti i parë në Evropë që zbaton operacione të tilla, dhe i dyti në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke folur në ceremoninë e nisjes së operacioneve të njëkohshme me tri pista në Aeroportin e Istanbulit, ministri i Transportit i Türkiyes, Abdulkadir Uraloğlu, deklaroi se nga sot, tre avionë do të jenë në gjendje të ulen ose të ngrihen njëkohësisht nga pista plotësisht të pavarura në këtë aeroport.
“Kjo nuk është vetëm një risi për Türkiyen, por edhe për aviacionin evropian, një hap historik në nivel global. Turqia është i vetmi vend që pas ShBA-së ka zbatuar një praktikë të tillë,” tha ai.
Uraloğlu rikujtoi se Aeroporti i Istanbulit, i hapur më 29 tetor 2018 si një projekt vizionar madhështor i Türkiyes, që nga fillimi ka përfaqësuar vendin në skenën botërore.
“Me një kapacitet vjetor prej 90 milionë pasagjerësh, Aeroporti i Istanbulit ka ngritur Türkiyen në majat e aviacionit global. Kjo infrastrukturë moderne, që pret miliona pasagjerë çdo vit, ka treguar potencialin ekonomik dhe kulturor të Türkiyes dhe ka forcuar pozitën e saj si lidere në industrinë e aviacionit”, tha ai.
Ai shtoi se sistemi i ri do të forcojë më tej pozitën udhëheqëse të Aeroportit të Istanbulit në Evropë dhe do të dëshmojë edhe njëherë lidershipin global të Türkiyes në fushën e aviacionit.
Gjatë vitit 2024, Aeroporti i Istanbulit ka shërbyer rreth 80 milionë pasagjerë, duke u bërë kështu aeroporti më i madh dhe i dyti më i ngarkuar në Evropë, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aeroporteve Shtetërore (DHMI).
Sipas raportit vjetor të trafikut për vitin 2024 nga Këshilli i Aeroporteve Ndërkombëtare të Evropës (ACI Europe), aeroporti gjithashtu është bërë edhe qendra më e frekuentuar e ngarkesave në Evropë.