RAJONI
3 minuta leximi
Vuçiq: Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme
Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, për ne janë vende mike si Izraeli ashtu edhe Irani. Hebrenjtë gjithmonë janë respektuar te ne, deklaroi mes tjerash presidenti i Serbisë.
Vuçiq: Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme
Vuçiq: Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme / AP
23 Qershor 2025

Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, për ne janë vende mike si Izraeli ashtu edhe Irani, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Afërt dhe konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.

"Serbia dëshiron paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, për ne janë vende mike si Izraeli ashtu edhe Irani. Hebrenjtë gjithmonë janë respektuar te ne", tha ai të hënën pas mbledhjes së zgjeruar të kolegjiumit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

"Po ashtu, te ne nuk ka mesazhe antimuslimane, anti-islame apo të ndonjë lloji tjetër, dhe nuk do të ketë. Irani e ka njohur Kosovën e pavarur dhe ka votuar për Rezolutën kundër nesh. Izraeli e ka njohur Kosovën e pavarur, por nuk e ka mbështetur Rezolutën kundër nesh. Të dy popujt janë miqësorë për ne", theksoi presidenti i Serbisë.

Ai nënvizoi se "ne dëshirojmë paqe dhe nuk e kuptoj pse nuk janë zgjidhur gjërat përmes diplomacisë".

Ai gjithashtu u ndal edhe te sulmet amerikane në Iran, duke thënë se Serbia dëshiron marrëdhënie sa më të afërta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një partneritet strategjik.

Megjithatë, ai theksoi se "nuk ka dyshim që është shkelur e drejta ndërkombëtare".

"Nuk ka të drejtë, nuk ka drejtësi, dhe më e rëndësishmja: nuk ka rregulla në botën e sotme. Si do t’u flisni tani të gjithë nga Perëndimi rusëve apo kujtdo tjetër për shkeljen e integritetit territorial, kur të gjithë ju e keni shkelur atë. Po fundoset e gjithë bota në kaos të plotë", shpjegoi Vuçiq, duke shtuar se çmimi i naftës sot është 25 për qind më i lartë se dhjetë ditë më parë.

Ai theksoi se "tani secili ka të drejtë të sulmojë cilindo".

"Çmenduria është përhapur në të gjithë botën. Shihni që nuk ka më askënd të besueshëm", tha Vuçiq, duke shtuar se përfundimi i gjithë kësaj është se duhet të forcojnë shtetin, "të jemi në marrëdhënie të mira me të gjithë dhe të respektojmë gjithçka, sepse e dimë se nuk ekzistojnë më rregulla në nivel ndërkombëtar, e aq më pak drejtësi dhe e drejtë".

Vuçiq në një intervistë për gazetën izraelite The Jerusalem Post në fillim të këtij muaji kishte zbuluar se Serbia kishte dërguar ndihmë ushtarake për Izraelin menjëherë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, duke thënë: "Jam i vetmi në Evropë që tregton municion ushtarak me Izraelin".

Ai theksoi se Serbia është i vetmi vend evropian që aktualisht eksporton municion në Izrael, dhe se kjo e ka vënë nën kritika, por se ai mbetet "i qëndrueshëm në mbështetjen ndaj popullit dhe shtetit izraelit".


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us