Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se Serbia duhet të rrisë nivelin e aftësive të saj mbrojtëse, “sepse në botë kemi një situatë ku nuk ekzistojnë as e drejta, as drejtësia, e as rregullat”.
“Ushtria jonë duhet të jetë shumë më e fuqishme. Në 10 vitet e fundit, veçanërisht në vitin e fundit, kemi bërë shumë për modernizimin e ushtrisë,” tha Vuçiq.
“Të gjitha këto i bëjmë për qytetarët e Serbisë. Nuk është çështje prestigji shtetëror se kush është më i fortë e kush jo, por është çështje e interesit më të lartë për qytetarët e Serbisë që të jenë të mbrojtur dhe të sigurt,” theksoi ai, duke paralajmëruar edhe krijimin e një platforme ushtarake dixhitale.
Ai theksoi se fakti që një vend është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe ka të garantuar integritetin territorial, nuk do të thotë më asgjë, për shkak të sjelljes së fuqive të mëdha që i respektojnë parimet kur u konvenon dhe shpikin parime të reja.
Vuçiq bëri të ditur se është marrë vendimi për krijimin e një platforme dixhitale ushtarake që do të mundësojë që në sallat e komandës të shihet gjithçka që dronët apo ushtarët shohin në terren. Për realizimin e këtij projekti, sipas tij, do të nevojiten katër deri në pesë vjet.
“Së shpejti do të kemi dronë të mëdhenj dhe të fuqishëm me kënd të gjerë dhe shikim me rreze të gjatë. Pra, gjithçka që ata shohin në terren, do ta shohim edhe ne në sallat komanduese,” tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjes për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai theksoi se nuk është hequr dorë nga kjo ide, por aktualisht po punohet në përmirësimin e kushteve për ushtarët profesionistë.
“Kemi biseduar, do ta rikthejmë shërbimin e rregullt ushtarak. Do ta rikthejmë, por ndërkohë duam që profesionistët të jenë sa më të fortë dhe të mbushim sa më mirë njësitë tona,” theksoi presidenti i Serbisë.
Ai paralajmëroi se më 19 ose 20 shtator do të organizohet një paradë ushtarake e Ushtrisë së Serbisë, ku qytetarët do të mund të shohin çfarë të rejash ka në ushtri: çfarë është blerë, ndërtuar apo prodhuar.