Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se Maqedonia e Veriut është e angazhuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
Mucunski mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ai mbajti një fjalim në sesionin kushtuar promovimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe në seancën plenare përmbyllëse. Mucunski konfirmoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.
Kryediplomati maqedonas theksoi se kërcënimet aktuale të sigurisë kërkojnë qasje të përforcuar, angazhim dhe bashkëpunim të vështirë, por të domosdoshëm midis vendeve të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Duke iu referuar rëndësisë së Marrëveshjes së Dejtonit si një dokument që i dha fund njërit prej konflikteve më të vështira në Ballkan, Mucunski bëri thirrje që 30-vjetori të përdoret si një mundësi për t'u fokusuar në të ardhmen, drejt stabilitetit, përparimit ekonomik, mirëqenies sociale dhe perspektivës evropiane.
Si pjesë e aktiviteteve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ministri Mucunski së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe udhëheqës të tjerë nga rajoni, morën pjesë në pritjen ceremoniale në vendin ku u nënshkrua Marrëveshja e Dejtonit, në bazën ajrore Wright-Patterson të ShBA-së.