UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës, sipas një njoftimi të bërë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë.
Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, Drejtoreshë e Përgjithshme e Organizatës së UNESCO-s, e cila vizitoi Shqipërinë me ftesë të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
“Rezervat e biosferës janë një model i mrekullueshëm, pasi ato lejojnë mbrojtjen e natyrës duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Aplikimi për luginën e Vjosës në këtë program të UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, lufta kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural”, është shprehur Mirela Kumbaro.
Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi se miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore pritet të ndodhë në shtator të këtij viti.
“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar, është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës”, u shpreh Rama.
Shpallja e Luginës së Vjosës si Rezervat i Biosferës pritet të përforcojë statusin e saj ndërkombëtar dhe do të nxisë më tej ruajtjen e natyrës dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.
Lumi Vjosa i njohur edhe si “lumi i fundit i egër në Europë”, rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.
Lugina e Vjosës është habitat i më shumë se 1100 lloje specieve bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara globalisht si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, e konisideruar edhe si një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian.