Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) ka lëshuar Deklaratën e Istanbulit pas një takimi ministror, duke dënuar fuqishëm sulmet e fundit të Izraelit ndaj Iranit, Sirisë dhe Libanit, si dhe ato amerikane ndaj lokacioneve bërthamore iraniane.
Deklarata, e lëshuar pas seancës së 51-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-së në Istanbul, i përshkroi veprimet e Izraelit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të sovranitetit dhe sigurisë së vendeve të synuara.
Deklarata i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar “të marrë masa parandaluese për të ndaluar këtë agresion dhe për ta bërë Izraelin përgjegjës për krimet e kryera".
Deklarata gjithashtu njoftoi formimin e një “Grupi Kontakti Ministror” me afat të hapur, i cili do të ngarkohet me vendosjen e kontakteve të rregullta me palët përkatëse rajonale dhe ndërkombëtare për të mbështetur përpjekjet e de-përshkallëzimit, për të ndaluar agresionin kundër Iranit dhe për të arritur një zgjidhje paqësore.
Ajo theksoi nevojën urgjente për të ndaluar sulmet izraelite, duke shprehur gjithashtu shqetësim serioz për përshkallëzimin e rrezikshëm, i cili kërcënon situatën njerëzore, ekonomike dhe mjedisore të rajonit.
OBI-ja gjithashtu shprehu “shqetësim të thellë” për sulmet e fundit të ShBA-së që shënjestruan objektet bërthamore në Iran.
Sekretariati i Përgjithshëm i OBI-së i përshkroi sulmet si një “përshkallëzim i rrezikshëm që mund të çojë në tensione të larta dhe të kërcënojë sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal”.
"Sekretariati i Përgjithshëm, duke kujtuar deklaratën e 13 qershorit të vitit 2025, që dënonte dhe denonconte shkeljen e sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit, si dhe të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, bën thirrje për ulje të tensionit dhe vetëpërmbajtje, si dhe për t'iu drejtuar dialogut dhe për t'u rikthyer në negociata dhe mjete paqësore", tha OBI-ja.