Policia izraelite të enjten ndaloi të venë e shkrimtarit palestinez Walid Daqqa, i cili vdiq nga kanceri vitin e kaluar gjatë kohës që ndodhej në burgjet izraelite.
Në një deklaratë, Zyra Mediatike e të Burgosurve Palestinezë, e cila është e lidhur me Hamasin, tha se forcat izraelite e kapën Sanaa Daqqan pranë Portës së Damaskut në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit dhe e dërguan atë në një qendër hetimesh.
Deklarata nuk ofroi më shumë detaje për arsyen e ndalimit të saj.
Arrestimi ndodhi pas një thirrjeje të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për dëbimin e saj.
Më herët, media izraelite Walla raportoi se Ben-Gviri kishte kontaktuar ministrin e Brendshëm Moshe Arbel katër herë brenda një dite për të kërkuar dëbimin e menjëhershëm të Daqqas.
Më 28 maj, autoritetet izraelite nisën procedurat për të revokuar shtetësinë e katër qytetarëve arabë të burgosur në Izrael, duke pretenduar se kishin marrë para nga Autoriteti Palestinez gjatë kohës që ndodheshin në burg.
Më 7 prill 2024, i burgosuri palestinez Walid Daqqa, 62 vjeç, vdiq pas 38 vitesh në burgjet izraelite për shkak të kancerit, sipas organizatave për të drejtat e palestinezëve.
“Udhëheqësi dhe i burgosuri Walid Daqqa, i prekur nga kanceri, ra dëshmor në Spitalin Assaf Harofeh (pranë Tel Avivit)”, thanë në një deklaratë të përbashkët Komisioni për të Burgosurit dhe Ish Burgosurit dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.
Vdekja e Daqqas iu atribua “politikës së neglizhencës së qëllimshme mjekësore të ndjekur nga administrata e burgjeve të okupatorit ndaj të burgosurve të sëmurë.”
Në deklaratë thuhej se Daqqa ishte nga Baqa al-Gharbiyye, një qytet në Izrael pranë kufirit me Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe ishte arrestuar që nga viti 1986.