Votimi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve ka nisur.
Kryekomisari Ilirjan Celibashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se sot, në orën 07:15, ka arritur në duart e votuesit fleta e parë e votimit.
Sipas Celibashit, ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e diasporës në procesin demokratik të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, deri tani janë dorëzuar 71.536 zarfe.
KQZ-ja njoftoi se deri tani janë dërguar fletët e votimit për bashkatdhetarët nga qarqet Durrës, Berat, Dibër dhe Kukës, që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Britani e Madhe dhe ShBA.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.
Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.