Edhe kur janë bërë 31 përpjekje me radhë, Kuvendi i Kosovës, mbetet ende i pakonstituuar për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kryetarit të këtij institucioni legjislativ, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit "ad-hoc" për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 80 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 47 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
"Nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës, ndërpritet seanca dhe shihemi më 15 qershor në orën 11:00", tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
Nga partia e dytë më e madhe në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u tha se mungon definicioni dhe fjalët e duhura në gjuhën shqipe, për të përshkruar absurditetin e situatës në të cilën ndodhet Kosova.
PDK-ja vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidatin për kryetare të Kuvendit, por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.
Në konsultimet e javës së kaluar të presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike, u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga Lëvizja Vetëvendosje u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.