Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar sot një armëpushim pa kushte me Rusinë deri në mbajtjen e një takimi midis udhëheqësve të vendeve, duke shtuar se Kievi është i përgatitur të takohet “çdo ditë” në Istanbul, Zvicër ose Vatikan.
“Rusët nuk janë gati për një armëpushim në nivelin aktual të delegacioneve. Ata na thanë qartë se ky është një vendim për udhëheqësit. Pra, ne propozojmë një armëpushim derisa të zhvillohet një takim i tillë”, ka thënë Zelenskyy, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për idenë, sipas agjencisë shtetërore ukrainase të lajmeve “Ukrinform”.
Ai ka thënë se Ukraina është gati për një samit udhëheqësish duke filluar nga e hëna dhe përmendi Türkiyem, Vatikanin dhe Zvicrën si vende të mundshme.
Zelenskyy ka deklaruar se mbështetja e presidentit të ShBA-së Donald Trump do të vlerësohej. Ai ka thënë se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tashmë ka shprehur mbështetje për një takim të tillë, duke sugjeruar një format që përfshin Trumpin, presidentin rus Vlladimir Putin dhe atë vetë.
“Ne jemi gati për një takim të tillë çdo ditë", ka theksuar ai.
“Ne e bëjmë këtë propozim tani në mënyrë që njerëzit në Ukrainë dhe në botë të shohin se ekziston një shans i vërtetë për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë ai.
Komentet erdhën pas raundit të dytë të bisedimeve midis delegacionit rus dhe atij ukrainas në Istanbul më 2 qershor, ku Kievi ftoi Moskën në një samit udhëheqësish midis 20 dhe 30 qershorit.