RAJONI
2 minuta leximi
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare
Legjislatura aktuale ka mandat deri në shtator të këtij viti, kur edhe do të konstitutohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare / AA
29 Maj 2025

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare, ndërkohë në rendin e ditës nuk ishin përfshirë projektligje.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në hapje të seancës së shkurtër u shpreh se do ta vijojnë punën sipas Kushtetutës.

"Kjo është seanca e parë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe ne do ta vijojmë punën tonë sipas përcaktimeve të Kushtetutës së Republikës dhe rregullores së Kuvendit", u shpreh Spiropali.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Niko Peleshi, u shpreh se do të ketë disa seanca intensive deri në fillim të korrikut.

"Jemi si grup parlamentar dakord që ta rifillojmë punën pas një fushatë të suksesshme për të gjithë, mbi të gjitha për vendin dhe për shqiptarët. Kemi plot arsye të kërkojmë diskutime edhe jashtë rendit të ditës", tha Peleshi.

Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës në seancë i konsideroi zgjedhjet parlamentare si "farsë elektorale".

Kuvendi nuk miratoi kërkesën e partisë opozitare, Partisë Demokratike, për t'i përfshirë në rendin e ditës diskutimet mbi zgjedhjet parlamentare. Kuvendi aktual pritet t'i mbyllë punimet në muajin korrik dhe në vazhdim do të zhvillohen disa seanca parlamentare.

Legjislatura aktuale ka mandat deri në shtator të këtij viti, kur edhe do të konstitutohet legjislatura e re e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us