Televizioni i Sllovenisë, në një letër drejtuar Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU), ka shprehur "shqetësim në rritje lidhur me pjesëmarrjen e mëtejshme të Izraelit në ngjarjet e EBU-së", përfshirë Eurovisionin, dhe ka kërkuar një debat të hapur mes anëtarëve për transparencën e votimit të këtij viti dhe rregullat e pjesëmarrjes.
Pas kërkesave të televizioneve publike belge dhe spanjolle për më shumë transparencë në lidhje me votimin e këtij viti në Eurovision që, sipas tyre, nuk është më apolitik dhe bashkues, dhe për këtë arsye as i përshtatshëm, një qëndrim i ngjashëm është shprehur edhe nga Televizioni i Sllovenisë.
"Si drejtoreshë e Televizionit të Sllovenisë, po ju drejtohem sërish me shqetësime serioze dhe në rritje lidhur me pjesëmarrjen e mëtejshme të Izraelit në ngjarjet e EBU-së, veçanërisht në Eurovision," ka shkruar Ksenija Horvat në letrën që drejtoria e Televizionit të Sllovenisë i ka dërguar anëtarëve të bordit ekzekutiv të EBU-së.
Ajo shtoi se kishte tërhequr vëmendjen për këtë çështje edhe vitin e kaluar, duke paraqitur shumë vërejtje të cilat, sipas saj, janë vetëm intensifikuar që atëherë.
"Si media publike përgjegjëse ndaj publikut, Televizioni i Sllovenisë është nën presion të vazhdueshëm për t’u përgjigjur ndaj këtyre shqetësimeve. Nëse EBU nuk ndërmerr hapa konkretë dhe nuk shprehet qartë për këto çështje, do të shqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në ngjarjet e ardhshme të Eurovisionit", paralajmëroi Horvat.
Ajo theksoi se një vendim i tillë nuk do të merrej lehtë dhe shtoi se TV Sllovenia "do të detyrohet" ta ndërmarrë këtë hap nëse "EBU nuk i përgjigjet pyetjeve kyçe, si nga aspekti etik, ashtu edhe nga këndvështrimi i interesit publik."
Horvat u bëri thirrje EBU-së të thërrasë një "diskutim të hapur, gjithëpërfshirës dhe urgjent mes anëtarëve të saj, përfshirë artistët muzikorë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, për transparencën e votimit, politikat e pjesëmarrjes dhe sigurimin e një zbatimi të qëndrueshëm dhe të besueshëm të vlerave për të cilat angazhohet EBU."
Ajo iu referua edhe votimit me telefon në konkursin e këtij viti të Eurovisionit, duke thënë se kjo "ka dëmtuar më tej besimin e publikut," dhe shtoi se as përgjigjja e mëparshme e EBU-së "nuk përmbante sqarime bindëse apo konkrete", dhe nuk pasqyronte urgjencën dhe seriozitetin e çështjes.
"Ndërkohë, situata humanitare në Gazë dhe në territoret palestineze të okupuara është përkeqësuar më tej, ndërsa shqetësimi i publikut si në Slloveni, ashtu edhe në të gjithë Evropën është rritur ndjeshëm," shkroi Horvat, duke shtuar:
"Shumë shikues në Slloveni dhe gjetkë kanë shprehur dyshime serioze për besueshmërinë dhe transparencën e votimit, sidomos në kontekstin politik që e ka shoqëruar konkursin. Ndjesia se interesat politike mund të kenë ndikuar në vendimet për pjesëmarrje apo në rezultatet përfundimtare ka minuar besimin e publikut në paanshmërinë e EBU-së."
Ajo gjithashtu vuri në dyshim transparencën e votimit me telefon në Eurovision.
"Na intereson veçanërisht krahasimi i votave telefonike me ato në internet, sepse e konsiderojmë thelbësor për rivendosjen e besimit në integritetin e procesit të votimit. Si media publike, kemi detyrim ndaj audiencës sonë të ofrojmë informacion të saktë dhe të verifikueshëm," shkroi ajo, duke shtuar se nuk kupton pse ka kaq shumë fshehtësi rreth këtyre procedurave.