Kryekomisari Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u shpreh sot gjatë një konference për shtyp me gazetarët, se tashmë është shpërndarë rreth 36 për qind e volumit të zarfeve me fletët e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë, rreth 91 mijë zarfe, ndërsa konfirmoi faktin se votuesi i parë i diasporës ka qenë një qytetar nga Dibra me banim në Gjermani.
Kreu i KQZ-së pohoi faktin se është konstatuar një volum më i madh i prodhimit të zarfeve B, për shkak të një problemi teknik.
“Edhe në rast se në një rast sistemi i KQZ-së nuk do të funksiononte për shkak të gabimeve njerëzore, është sistemi i shërbimit postar DHL që nuk të lejon të ngarkosh më shumë se një zarf B. Funksioni i KQZ-së dhe DHL-së, evidentoi që ka disa zarfe B që janë prodhuar më shumë për një zgjedhës të caktuar, por ne kemi provat që nuk ka asnjë mundësi që një zgjedhësi t’i shkojnë dy zarfe apo dy fletë votimi. Në KQZ kemi sistem kontrolli dyfish, ndërsa DHL-ja ka sistem trefish kontrolli. Nëse zarfi i një zgjedhësi shpërndahet, por një postieri tjetër i ka shkuar sërish zarf i dytë për të njëjtin zgjedhës, postieri nuk e shpërndan dot se nuk ia pranon sistemi, dhe ai do ta kthejë mbrapsht atë”, tha Celibashi.
Kryekomisari Celibashi u shpreh se procesi i monitorimit të votës nga jashtë deri te mbërritja dhe administrimi i tyre në Parkun Olimpik “Feti Borova”, monitorohet 24/7 nga KQZ dhe përfaqësues të partive politike. Sipas Celibashit, pritet që sot të nisë përgatitja e fletëve të votimit për qarqet Korçë, Lezhë dhe Tiranë.
“Nuk e përfundojmë dot në datë 17 prill procesin e shpërndarjes së zarfeve, për shkak të ngarkesës së shtuar në kontrollin e përgatitjes dhe dërgimit të zarfeve. Kemi shtuar kontrollet në KQZ dhe kompaninë postare DHL dhe mund të ketë një shtyrje të afatit për zarfet e votuesve nga jashtë vendit, por që nuk e rrezikon procesin si dërgimin e fletëve dhe të kthimit mbrapsht brenda afatit ligjor të përcaktuar”, vijoi Celibashi.
Kreu i KQZ-së theksoi se brenda kësaj jave pritet të përfundojë procesi i dërgimit të fletëve të votimit për shqiptarët e regjistruar në platformën PER. Ndër të tjerash, ai shtoi se zgjedhësit nga jashtë do të njoftohen nga DHL jo vetëm nëpërmjet një shënimi, por edhe me e-mail dhe mesazh. “Mesazhi do të përmbajë vendin dhe orën e zyrës së DHL-së ku qytetari mund të shkojë ta tërheqë zarfin. Siguria për integritetin e këtyre të dhënave është 100 për qind”, nënvizoi Celibashi.