Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë ka njoftuar se deri tani janë liruar plot 17.334 metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme.
IMT-ja informoi se ky aksion për rikthimin e hapësirave publike, trotuareve dhe ambienteve të përbashkëta në shërbim të qytetarëve ende po vijon.
Nën inspektim janë akset kryesore, megjithatë kjo nuk do të thotë se lagjet dhe zonat periferike do të mbeten jashtë listës së inspektimit.
Deri tani në kuadër të këtij aksioni janë njoftuar 1.428 subjekte për lirimin e hapësirave të zëna; janë realizuar 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse; janë hartuar 32 akt-konstatime për kundërvajtje, ndaj atyre që nuk kanë respektuar afatet apo urdhrat ligjorë.
Përpos Tiranës, aksione të tilla po zhvillohen edhe në bashkitë e tjera në Shqipëri.