Qendra e Türkiye për Luftën kundër Dezinformimit ka hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet se vendi po shënjestron komunitetin druzë në Siri.
Në një deklaratë të lëshuar nga qendra thuhet se përmbajtje provokuese dhe mashtruese, që pretendojnë se Türkiye po shënjestron komunitetin druzë në Siri, janë shpërndarë në mënyrë sistematike nga disa media.
Qendra turke theksoi se këto pretendime janë pjesë e një “fushate të qartë dezinformimi që synon shtrembërimin e politikës së jashtme të Türkiye”, e cila bazohet në parime humanitare.
“Türkiye ndjek një politikë të jashtme të vendosur dhe parimore, të bazuar në respekt për të drejtat e njeriut dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me fokus në paqen dhe stabilitetin rajonal. Qasja e Türkiyes, e cila vazhdimisht ka mbështetur unitetin politik, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, nuk lejon diskriminim etnik, fetar apo sektar. Shqetësimi kryesor është mbrojtja e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave themelore”, thuhet në deklaratë.
Duke cituar deklaratat e presidentit Recep Tayyip Erdoğan se qëndrimi i Türkiyes ndaj Sirisë nuk bazohet në përkatësi etnike apo sektare, deklarata thekson se kjo qasje udhëheq të gjitha aktivitetet humanitare dhe nismat diplomatike të vendit në terren.
Më tej, qendra turke tha se që nga fillimi i krizës siriane të zhvendosurit sirianë janë pritur pa asnjë diskriminim dhe janë zbatuar programe të ndihmës humanitare dhe mbështetjes sociale për të gjitha grupet.
“Asnjë komunitet sirian nuk është përjashtuar dhe të gjithë, pa dallim përkatësie sektare apo etnike, janë trajtuar në mënyrë të barabartë. Megjithatë, është e qartë se qarqe të caktuara që bëjnë akuza të pabazuara ndaj Türkiyes synojnë të nxisin përçarje mes grupeve fetare brenda strukturës së ndjeshme demografike të rajonit”, theksohet në deklaratë.
“Ata po zhvillojnë qartësisht një fushatë propagandistike me motive gjeopolitike dhe të interesit vetjak. Türkiyes vazhdon të përmbushë me vendosmëri përgjegjësitë e saj për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe kohezionit shoqëror rajonal. Qëndrimi është i prerë kundër veprimtarive përçarëse dhe skenarëve të konfliktit sektar që rrezikojnë unitetin politik, sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe nuk u jepet asnjë hapësirë këtyre përpjekjeve”, shtojnë nga atje.
Qendra gjithashtu theksoi se do të vazhdojë të informojë me saktësi opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar në dritën e fakteve.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë përmbajtjeve të pa verifikuara, të shtrembëruara apo të prodhuara me qëllime të njëanshme.