Grupi i rezistencës palestineze Hamas bëri thirrje për protesta masive në mbarë botën të martën në mbështetje të Gazës dhe Kudsit Lindor të pushtuar.
Grupi u bëri thirrje palestinezëve dhe njerëzve në mbarë botën që të dalin në rrugë të premten, të shtunën dhe të dielën në mbrojtje të Gazës, Kudsit Lindor dhe Xhamisë Al-Aksa.
“Protestat synojnë gjithashtu ta mbështesin qëndrueshmërinë e popullit tonë palestinez dhe të refuzojnë krimet e kryera nga pushtimi (izraelit) dhe mbështetësit e tij”, shtoi ai.
Hamasi gjithashtu bëri thirrje për përdorimin e "të gjitha mjeteve të presionit për të ndaluar vrasjet, rrethimet dhe urinë në Gaza dhe për ta forcuar qëndrueshmërinë e palestinezëve në Kuds dhe Xhaminë Al-Aksa".
Ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore në Rripin e Gazës më 18 mars, duke vrarë më shumë se 730 njerëz dhe duke plagosur afro 1.200, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.
Më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 113.400 janë plagosur në sulmin brutal të ushtrisë izraelite në Gaza që nga tetori 2023. Më shumë se 930 palestinezë u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor në të njëjtën periudhë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.