Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto të enjten hodhi poshtë një propozim të ri evropian për ndihmë shtesë financiare për Ukrainën, duke theksuar se Budapesti do të votojë kundër çdo mbështetjeje të re ushtarake ose financiare.
"Sot në Varshavë, një propozim i ri për të ndarë më shumë para për Ukrainën është në tryezë. Qëndrimi ynë është i qartë: s’ka më armë, s’ka më para. Kjo luftë është një humnerë pa fund, nuk mund të fitohet dhe duhet të ndalet", tha Szijjarto në margjinat e takimit rajonal.
Ai shtoi se Hungaria do të vazhdojë të “flasë në favor të paqes” dhe të kundërshtojë masat që, sipas tij, e zgjasin konfliktin.
Deklarata vjen ndërsa ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë kanale të reja të ndihmës financiare për Ukrainën, përfshirë edhe përmes Mekanizmit Evropian të Paqes.
Hungaria e ka bllokuar ose ngadalësuar vazhdimisht marrjen e vendimeve të tilla, duke përmendur interesat kombëtare dhe skepticizmin në lidhje me rezultatin e luftës.