Ushtria izraelite ka shkatërruar gati 80% të ndërtesave në qytetin Rafah në jug të Gazës gjatë luftës së saj të vazhdueshme në enklavë, treguan imazhet satelitore.
Kanali izraelit 12 publikoi imazhe të enjten që tregojnë shkatërrime të mëdha në Rafah, për të cilin qeveria izraelite thotë se do t'i shtyjë palestinezët drejt saj sipas një plani ushtarak të miratuar për ta zgjeruar sulmin në enklavë.
Të dielën, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi një plan ushtarak, me emrin e koduar "Qerret e Gideonit", i cili përcakton vizionin e Izraelit për një prani afatgjatë në Gaza, duke përfshirë kontrollin e plotë ushtarak, zhvendosjen me forcë të civilëve dhe marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmës humanitare.
Kanali, duke cituar një analizë nga Qendra e Sistemeve të Informacionit Gjeografik të Universitetit Hebraik, tha se 80% e ndërtesave në Rafah janë shkatërruar.
Sipas transmetuesit, mijëra ndërtesa janë shkatërruar në qytet, veçanërisht në zonat afër Korridorit të Filadelfit përgjatë kufirit me Egjiptin.
20% e mbetur e ndërtesave në Rafah ndodhen në pjesën veriore të qytetit, shtoi ai.
Kanali tha se qyteti verior i Jabalias, zona e Korridorit Netzarim që ndan Gazën veriore nga jugu i saj, dhe Khan Younis në Gazën jugore kanë parë gjithashtu shkatërrime të mëdha të ngjashme me Rafahun.
Ushtria izraelite ka nisur një sulm brutal ushtarak në Gaza, duke vrarë më shumë se 52.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.