TÜRKİYE
2 minuta leximi
Hakan Fidan në Rusi: Jemi të kënaqur me shkëmbimin e të burgosurve pas bisedimeve në Istanbul
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Llavrov, kryediplomati turk bëri thirrje për ndalim të menjëhershëm të tragjedisë njerëzore në Gaza.
Hakan Fidan në Rusi: Jemi të kënaqur me shkëmbimin e të burgosurve pas bisedimeve në Istanbul
Hakan Fidan në Rusi: Jemi të kënaqur me shkëmbimin e të burgosurve pas bisedimeve në Istanbul / Reuters
27 Maj 2025

Në kuadër të vizitës së tij në Rusi, Ministri i Jashtëm i Türkiyes Hakan Fidan u takua me homologun e tij Sergej Llavrov në Moskë. Pas takimit të dy homologët mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Kryediplomatët diskutuan mbi nivelin e bisedimeve Ukrainë-Rusi, situatën e rënduar në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, për tragjedinë humanitare në Afrikë dhe integritetin territorial të Sirisë. 

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, u shpreh se Türkiye është e kënaqur me rezultatin e shkëmbimit të të burgosurve që ndodhi pas bisedimeve në Istanbul. 

Ai tha se shpreson që këto bisedime të çojnë drejt një armëpushimi, i cili do të hapte rrugën për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, duke riafirmuar edhe një herë gatishmërinë për çdo lloj mbështetjeje për bisedimet e paqes.

Duke folur për sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, Fidan tha: "Gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë. Përndryshe, është e pamundur të parandalohet kaosi që do të përfshijë edhe Izraelin".

Ndërkaq, drejtuar zhvillimeve në Siri, Fidan u shpreh se "Si Türkiye dhe Rusi do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë."

Kryediplomati rus Llavrov pohoi se me Türkiyen kanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me Palestinën. “Türkiye dhe Rusia mbështesin krijimin e një shteti palestinez”, deklaroi ministri rus, duke u shprehur se ajo që po ndodh në Gaza dhe Bregun Perëndimor është e papranueshme. 

Lidhur me negociatat e paqes midis vendit të tij dhe Ukrainës, Lavrov tha se "Sërish mund t'u drejtohemi miqve tanë turq për raundin e dytë të negociatave me Ukrainën".

Fidan në kuadër të vizitës së tij dyditore në Rusi, dje u prit edhe nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us