Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, dhe të tjerët, dyshohen se vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuan 300 të tjerë.
Kërkesa për lëshimin e udhërarrestit ka ardhur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e kësaj prokurorie Liridona Kozmaqi.
"Po, mund të konfirmoj se PSRK-ja i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhërarrestit dhe Gjykata ka lëshuar këtë urdhëarrest", tha Kozmaqi.
Urdhërarresti është lëshuar më datë 15 prill 2025, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të datës 27 mars 2025.
"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë, nga data 7 maj e deri më datë 10 maj të vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë", thuhet në arsyetimin e urdhërarrestit.
Millan Radoiçiqi tashmë është person i kërkuar nga Kosova edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri policor, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar çdo përfshirje në këtë rast.