Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka prova për një sulm kibernetik në lidhje me ndërprerjet e përhapura të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali.
Costa njoftoi se bisedoi në telefon me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez dhe kryeministrin portugez, Luis Montenegro, në lidhje me ndërprerjen e vazhdueshme të energjisë elektrike sot në Spanjë dhe Portugali.
“Operatorët e rrjetit në të dy vendet po punojnë për të gjetur shkakun dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike”, shkroi Costa në platformën sociale X.
Shefi i Këshillit të BE-së sqaroi se “në këtë pikë, nuk ka indikacione për ndonjë sulm kibernetik”.
Ndërkohë, ofruesi spanjoll i energjisë ‘Red Electrica’ tha se presin që ndërprerja të zgjasë gjashtë deri në dhjetë orë.
Energjia elektrike u ndërpre në të gjithë Portugalinë, Spanjën dhe Andorrën rreth mesditës së sotme, duke prekur edhe disa pjesë të Francës.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e ndërprerjes, ndërkohë Instituti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Spanjës po hulumton edhe nëse një sulm kibernetik mund të jetë përgjegjës për ndërprerjen.
Qeveria spanjolle ka thirrur një takim urgjent me operatorin ‘Red Electrica’, në të cilin do të marrin pjesë kryeministri Sanchez dhe disa ministra.
Në takim do të diskutohet koordinimi i veprimeve për të adresuar ndërprerjen e energjisë.