RAJONI
2 minuta leximi
Policia intervenon para një fakulteti të bllokuar në Novi Sad, lëndohen studentë dhe gazetarë
Dekani e ftoi policinë për ndërhyrje pasi u pengua të hynte, ndërsa gjatë aksionit të policisë u konstatuan disa lëndime.
Policia intervenon para një fakulteti të bllokuar në Novi Sad, lëndohen studentë dhe gazetarë
Policia intervenon para një fakulteti të bllokuar në Novi Sad, lëndohen studentë dhe gazetarë / AA
28 Prill 2025

Pjesëtarët e policisë për intervenime dhe forcat e xhandarmërisë ndërhynë për të larguar studentët dhe qytetarët e mbledhur para Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në Novi Sad të Serbisë. Disa persona u lënduan gjatë ndërhyrjes së policisë, mes tyre edhe gazetarë.

Aksioni i policisë vijoi pasi dekani i Fakultetit, Patrik Drid, denoncoi se ishte penguar të hynte në vendin e tij të punës në mëngjes dhe kërkoi ndihmën e policisë për të hyrë në ndërtesë.

Menjëherë kanë ndodhur përplasjet e para mes policisë, studentëve dhe qytetarëve dhe pas mbërritjes së forcave shtesë të policisë dhe xhandarmërisë, ka nisur një ndërhyrje, gjatë së cilës janë përdorur mburoja, shkopinj dhe gaz lotsjellës.

Shërbimet e urgjencës ofruan ndihmë për një numër personash që pësuan lëndime në krahë, këmbë dhe kokë si dhe atyre që u ankuan për efektet e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës.

Dekani Drid ishte i pranishëm gjatë përplasjes dhe u fut në ndërtesë pasi forcat e policisë depërtuan përmes bllokadës.

Jo shumë kohë më pas, ai u nxor përsëri nga ndërtesa ndërsa turma i derdhi ujë dhe e gjuajti me vezë.

Fakulteti i Sportit dhe Edukimit Fizik ka disa muaj që është mbyllur, ashtu si edhe fakultetet e tjera në Universitetin e Novi Sadit.

Administrata e fakultetit njoftoi së fundmi se "bllokada ka përfunduar" dhe se shumica e studentëve kanë vendosur të vazhdojnë mësimet onlajn.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us