TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye riafirmon mbështetjen për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan
Sot në Istanbul u mbajt Konferenca e 18-të e Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Türkiye riafirmon mbështetjen për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan
Türkiye riafirmon mbështetjen për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan / AA
28 Maj 2025

Në Konferencën e 18-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit në Istanbul, nënpresidenti i Türkiyes, Cevdet Yılmaz, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për paqe dhe siguri të qëndrueshme në Ballkan.

Sot në Istanbul u mbajt Konferenca e 18-të e Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Në konferencë morën pjesë edhe Sllovenia dhe Kroacia si vëzhguese, si dhe përfaqësues të NATO-s.

Në fjalën e tij, Yılmaz tha se Türkiye është pjesë e pandashme e Ballkanit dhe do ta vazhdojë rolin e saj konstruktiv me dialog të hapur me të gjitha palët. Türkiye është gjithashtu e gatshme t'i ndajë njohuritë, përvojën dhe teknologjinë me vendet mike, tha ai.

“Ne ruajmë dhe do të vazhdojmë të ruajmë rolin tonë konstruktiv që i jep përparësi ndërveprimit dhe dialogut me të gjithë aktorët në Ballkan, pjesë e pandashme e të cilëve jemi edhe ne në çdo aspekt”, tha ai.

“Si Türkiye, ndjekim një politikë që i jep përparësi diplomacisë dhe kontribuon në paqe e stabilitet nga Ballkani në Kaukaz, nga lufta Ukrainë-Rusi te marrëdhëniet Etiopi-Somali, si dhe në Siri e Gaza”, theksoi nënpresidenti turk.

Ndërkaq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Türkiyes, Metin Gürak, theksoi se konferenca ka forcuar bashkëpunimin mes ushtrive të Ballkanit dhe ka trajtuar rolin e sistemeve ushtarake pa pilot në operacionet e ardhshme.

Ai njoftoi se takimi i ardhshëm do të mbahet në Athinë në vitin 2026.

Në fund të konferencës, u nënshkrua teksti i deklaratës së përbashkët nga ana e shefave të ushtrive të vendeve pjesëmarrëse.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us