Kryeministri moldav Dorin Recean tha sot se vendi i tij dëshiron t'i hapë të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2025.
“Qëllimi ynë është shumë i qartë. Ne synojmë t’i hapim të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit”, tha ai në një konferencë për shtyp pas një takimi të Këshillit të Asociimit BE-Moldavi në Bruksel.
Recean theksoi se angazhimi i Moldavisë në rrugën evropiane mbështetet nga Kushtetuta dhe nga mbështetja e gjerë publike.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, përshëndeti progresin e Moldavisë në reformat demokratike dhe përpjekjet kundër korrupsionit, duke riafirmuar mbështetjen e BE-së pavarësisht ndërhyrjes ruse.
Komisarja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, konfirmoi se tri raporte skriningu janë ndarë me shtetet anëtare dhe shprehu mbështetje për hapjen e të gjitha grupkapitujve paralelisht deri në fund të vitit.
Të dyja palët shprehën pritje për samitin e parë BE-Moldavi, i caktuar për në korrik. Samiti synon ta thellojë bashkëpunimin në energji, shërbime digjitale, arsim dhe lidhshmëri.
Moldavia paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE më 3 mars 2022. Ajo zyrtarisht fitoi statusin e kandidatit po atë vit, në muajin qershor.