RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, miratohet shtrenjtimi i rrymës me 16,1%
Në mbledhjen e së mërkurës, ZRrE-ja bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen me energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.
Kosovë, miratohet shtrenjtimi i rrymës me 16,1%
Kosovë, miratohet shtrenjtimi i rrymës me 16,1% / AA
16 Prill 2025

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) së Kosovës, aprovoi sot tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16,1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRrE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorët.

Në mbledhjen e së mërkurës, ZRrE-ja bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen me energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.

Udhëheqësi i Departamentit të Tarifave në ZRrE, Muharrem Gashi, kërkoi nga bordi që të shqyrtojë dhe miratojë tarifat me pakicë të energjisë elektrike me rritje prej 16,1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

"Lus bordin që ta shqyrtojë dhe miratojë tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë furnizim dhe shërbimi univerzal që të furnizohen që nga data 1 maj 2025 me rritje lineare prej 16,1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, tha Gashi.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se konsumatorët shtëpiakë ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë dhe më pak se 50 punëtorë, janë dy kategoritë që do të furnizohen me tarifat e reja prej 16,1 për qind që nga 1 maji i këtij viti.


Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us