RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria forcon kapacitetet energjitike, nënshkruhet marrëveshja për Parkun fotovoltaik në Belsh
Parku fotovoltaik, me kapacitet 50 MW, do të ofrojë energji për rreth 50 mijë qytetarë dhe do të kontribuojë në uljen e 50 mijë tonëve të CO2 çdo vit.
Shqipëria forcon kapacitetet energjitike, nënshkruhet marrëveshja për Parkun fotovoltaik në Belsh
Shqipëria forcon kapacitetet energjitike, nënshkruhet marrëveshja për Parkun fotovoltaik në Belsh / ATA
22 Korrik 2025

Shqipëria ka nënshkruar sot marrëveshjen e kredisë dhe grantit për financimin të projektit për ndërtimin të Parkut fotovoltaik të Belshit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe pavarësisë energjetike për Shqipërinë.

Me mbështetje të Bashkimit Europian dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ky projekt pritet të luajë një rol kyç në rritjen e kapaciteteve energjetike dhe reduktimin e emetimeve të CO2 në vend, sipas Ballukut. 

Ministrja u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe në promovimin e investimeve të gjelbra.

Parku fotovoltaik, me kapacitet 50 MW, do të ofrojë energji për rreth 50 mijë qytetarë dhe do të kontribuojë në uljen e 50 mijë tonëve të CO2 çdo vit.

Ndërtimi i këtij parku, siç bën të ditur Balluku, është pjesë e strategjisë më të gjerë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar energjinë e rinovueshme dhe për të forcuar pavarësinë energjetike.

Ajo shtoi se ky projekt është një shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Bashkimin Europian, i cili ka mbështetur këtë iniciativë me një grant prej 9,58 milionë euro, ndërsa BERZH ka ofruar një hua prej 30 milionë eurosh.

“Projekti ka afate të mirëcaktuara. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ne do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtare të ndërtimit të këtij parku, dhe në një periudhë gjashtëmujore kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre.”, deklaroi Balluku.

Sipas ministres, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të rritur kapacitetet eksportuese të energjisë përmes linjave të interkonjeksionit me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Gjithashtu, ajo nënvizoi rëndësinë e përdorimit të hapësirave të papërdorura për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe angazhimin e bashkive të vendit në këtë proces.

“Ky projekt është një tjetër hap përpara në realizimin e vizionit të Shqipërisë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të gjelbër”, deklaroi Balluku.

BURIMI:ATA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us