RAJONI
2 minuta leximi
Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pasojat e moskonstitutimit të Kuvendit brenda afatit
Presidentja e Kosovës kërkoi nga Kushtetuesja të sqarojë se çfarë ndodh, apo çfarë pasojash juridike mund të ketë nëse nuk konstitutohet Kuvendi brenda afatit 30-ditor, apo nëse Kuvendi konstitutohet pas 26 korrikut.
Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pasojat e moskonstitutimit të Kuvendit brenda afatit
Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pasojat nga moskonstitutimi i Kuvendit brenda afatit / AA
22 Korrik 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarimin e pasojave juridike eventuale, lidhur me moskonstitutimin e Kuvendit, apo konstitutimin e tij pas afatit 30-ditor që skadon më 26 korrik.

Nëpërmjet një konference për media, Osmani tha se në përputhje me përgjegjësinë e saj kushtetuese për të garantuar funksionimin e institucioneve, i ka parashtruar Gjykatës Kushtetuese kërkesë për ta shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese, krijuar nga mungesa e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Presidentja kosovare tha se situata aktuale me Kuvendin e Kosovës është e paprecedentë.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit, brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Kjo kërkesë, pra, ka karakter preventiv dhe bëhet për parandalimin e pasojave të pariparueshme”, theksoi Osmani, duke shtuar se kjo kërkesë nuk e paragjykon epilogun.

Osmani tha se Kushtetuesja duhet të sqarojë se çfarë ndodh, apo çfarë pasojash juridike mund të ketë nëse nuk konstitutohet Kuvendi brenda afatit 30-ditor, apo nëse Kuvendi konstitutohet pas 26 korrikut.

Presidentja kosovare tha se kur kanë mbetur edhe katër ditë para se të skadojë afati 30-ditor që deputetët ta konstitutojnë Kuvendin, nuk shihet në horizont ndonjë marrëveshje politike.

“Përshtypja jonë, ne mund ta kemi gabim, sepse ne si Presidencë nuk i dimë të gjitha detajet e komunikimit midis partive, ndoshta ju si media dini shpeshherë më shumë se sa ne. Por, nga ajo që ne jemi njoftuar deri më tani, nuk ka ndonjë marrëveshje politike, nuk ka rezultat që do të mund të shpinte te konstitutimi i Kuvendit. Nëse kjo ndodh, seanca është nesër, shumë mirë, ne e heqim kërkesën (drejtuar Gjykatës)”, tha Osmani.

Më tej, Osmani tha se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh, gjë që, sipas saj, do të nënkuptonte “pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura”.

Sipas saj, masa për pezullim gjithashtu do ta largonte nevojën që seancat të mbahen çdo 48 orë.

Më 26 korrik përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstitutimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të hënën dështuan për të 50-tën herë me radhë në konstitutimin e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us