Spanja dhe Sllovenia bënë thirrje të enjten që Bashkimi Evropian të vendosë embargo armësh ndaj Izraelit, të pezullojë marrëdhëniet tregtare dhe të vendosë sanksione ndaj më shumë individëve për shkak të konfliktit në Palestinë, deklaroi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
Sanchez u takua në Madrid me kryeministrin slloven Robert Golob për të shënuar përvjetorin e parë të njohjes së shtetësisë palestineze nga të dyja vendet.
“Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për Gazën dhe Ukrainën,” tha Sanchez në një konferencë të përbashkët për media. “Besoj se Spanja dhe Sllovenia po veprojnë në mënyrë koherente duke i mbrojtur të dyja.”
Ai shtoi se të dy liderët ranë dakord të “ngrejnë zërin për shkeljet flagrante dhe të përditshme të të drejtave të njeriut dhe për më shumë se 50.000 jetë të humbura si pasojë e sulmeve të Izraelit ndaj popullsisë palestineze.”
Të dy liderët përsëritën gjithashtu thirrjet për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete, për një armëpushim, kthimin e pengjeve dhe dërgimin e ndihmave të mjaftueshme humanitare në Gaza.
Golob dënoi “katastrofën” në Gaza, por shprehu shpresën se komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë në përfundimin e saj.
“Në qershor do të ketë shumë takime për këtë çështje dhe shpresojmë se do të shohim pak dritë, pak lehtësim për popullsinë e Gazës,” tha ai.
Të dielën, ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares tha në një mbledhje tjetër të liderëve në Madrid se disa shtete do të shtyjnë që takimi i Kombeve të Bashkuara më 16 qershor të shfrytëzohet si një “lëvizje e madhe për njohjen e shtetit palestinez.”
Sanchez komentoi gjithashtu fjalimin me lot në sy të ambasadorit palestinez në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën.
“Ishte një skenë prekëse për ata që besojnë në të drejtën ndërkombëtare dhe rendin ndërkombëtar, ta shihje atë teksa shpërthente në lot përballë indiferencës së komunitetit ndërkombëtar ndaj vuajtjeve të popullit të tij,” tha Sanchez.