BOTA
2 minuta leximi
Presidenti amerikan thotë se si Irani ashtu edhe Izraeli shkelën armëpushimin
“Ata nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë”, thotë Trump pas raportimeve për shkelje të armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, të cilin ai vetë e kishte shpallur.
Presidenti amerikan thotë se si Irani ashtu edhe Izraeli shkelën armëpushimin
Presidenti amerikan thotë se si Irani ashtu edhe Izraeli shkelën armëpushimin / AP
24 Qershor 2025

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, të martën shprehu pakënaqësi ndaj Izraelit, duke thënë se si Tel Avivi ashtu edhe Teherani kanë shkelur një marrëveshje armëpushimi.

“Izraeli, sapo bëmë marrëveshjen, doli dhe hodhi një ngarkesë bombash, të cilat nuk i kam parë ndonjëherë më parë, ishte ngarkesa më e madhe që kemi parë,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për samitin e NATO-s në Hagë, Holandë.

“Kemi dy vende që kanë luftuar aq gjatë dhe aq ashpër, sa nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë,” tha Trump, duke shtuar se i duhet ta “qetësojë Izraelin.”

Trump foli gjithashtu për bombardimin nga ShBA i tri objekteve kryesore bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan të dielën në mëngjes, duke thënë: “Irani kurrë nuk do të mund të rindërtojë armën bërthamore që aty, absolutisht jo. Ai vend është nën shkëmbinj. Ai vend është shkatërruar.”

Ai lavdëroi pilotët e avionëve bombardues B-2 për operacionin: “Pilotët e B-2 e bënë punën e tyre. E bënë më mirë se sa mund ta imagjinonte kushdo.”

Këto deklarata vijnë pas njoftimeve për shkelje të armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit.

Një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit hyri në fuqi në orën 04:00 GMT të martën, duke i dhënë fund “luftës 12-ditore.”

Megjithatë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, urdhëroi ushtrinë e tij të martën në mëngjes të ndërmerrte sulme intensive ndaj Teheranit, duke pretenduar se Irani kishte shkelur marrëveshjen. Irani e mohoi pretendimin dhe premtoi një përgjigje të vendosur ndaj çdo sulmi të ri.

Armëpushimi fillimisht ishte shpallur nga Trump, i cili tha se do të kishte një ndalim të fazuar të operacioneve – me Iranin që do të fillonte i pari armëpushimin dhe Izraelin që do t’i bashkohej 12 orë më vonë. Një ndalim i plotë i armiqësive do të shpallej pas 24 orësh.

Të hënën, Irani lëshoi një breshëri raketash ndaj bazës ushtarake amerikane Al Udeid në Katar, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të tensioneve pas sulmeve të ShBA-së mbi tri objekte bërthamore iraniane të dielën.

Sulmet e ShBA-së ishin pjesë e një ofensive ushtarake izraelite ndaj Iranit, e mbështetur nga ShBA, që filloi më 13 qershor dhe nxitën Teheranin të ndërmerrte sulme hakmarrëse ndaj Izraelit.


BURIMI:AA
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us