E ndodhur në qendër të kryeqytetit, në sheshin “Skënderbej”, Xhamia e Et’hem Beut përfaqëson një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Tiranës.
Ajo është e vetmja ndër tetë xhamitë e ndërtuara gjatë shekujve XVIII dhe XIX në Tiranë që ka mbijetuar deri në ditët tona.
Punimet për ndërtimin e saj nisën nga Molla Beu në fund të shekullit XVIII dhe u përfunduan rreth vitit 1821 nga i biri, Haxhi Et’hem Beu, pas një procesi që zgjati rreth 25 vjet.
Arkitektura e xhamisë përfaqëson stilin osman të kohës, me elementë të rrallë ndërtimorë, përfshirë një teknikë tradicionale të ndërtimit me të bardhë veze, e cila sot konsiderohet pothuajse e harruar.
Brendësia e xhamisë është e zbukuruar me piktura murale që paraqesin peizazhe imagjinare, me lumenj, ndërtesa dhe elementë të tjerë që interpretohen si përfaqësime të jetës së përtejme.
Këto dekorime përbëjnë një vlerë të veçantë artistike dhe kulturore, të cilat nuk gjenden në monumente të tjera të kësaj periudhe në Shqipëri.
Në hyrje të xhamisë ndodhet një pllakë me mbishkrime në osmanisht, ndërsa në fasadë janë ende të dukshme gjurmë plumbash – dëshmi e sfidave që ndërtesa ka përjetuar gjatë shekujve, përfshirë edhe periudhën e komunizmit, gjatë së cilës shumica e institucioneve fetare u mbyllën apo u shkatërruan.
Xhamia e Et’hem Beut është sot një ndër monumentet e mbrojtura nga shteti dhe një nga destinacionet kryesore në guidat zyrtare turistike të qytetit të Tiranës.
Çdo ditë, ajo vizitohet nga qindra qytetarë dhe turistë vendas e të huaj që vijnë për të njohur historinë, për të reflektuar apo për ta vlerësuar artin dhe arkitekturën.
Në pjesën e jashtme të xhamisë ndodhet varri i Haxhi Et’hem Beut dhe ai i bashkëshortes së tij, Belkizes, si dhe një pus historik, që daton prej së njëjtës periudhë.
Restaurimi i këtyre elementëve është bërë me përkushtim të madh nga specialistë dhe punonjës të trashëgimisë kulturore, të cilët kanë kërkuar të ruajnë autenticitetin dhe vlerën historike të çdo detaji.
Xhamia e Et’hem Beut nuk është vetëm vend adhurimi, por edhe një dëshmi e gjallë e historisë së qytetit, një vepër arti e ruajtur me kujdes ndër breza, dhe një simbol i identitetit kulturor të Tiranës.