Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, zhvilloi një takim në Vaun e Dejës në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut, së bashku me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA – Gjenerallejtënant Arben Kingji dhe Komandantin e Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia.
Ai tha se po rritet interesi i shqiptarëve për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Vengu theksoi se “rritja e interesit për t’u rekrutuar në Forcat e Armatosura është e prekshme edhe në këtë regjiment, falë investimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, përmirësimeve në trajtimin financiar dhe përkushtimit tonë për të ndërtuar një rrugë të qartë karriere ushtarake”.
“Trajnimet, arsimi dhe përgatitja profesionale brenda dhe jashtë vendit po kthehen në shtylla të një sistemi që nxit dhe mbështet të rinjtë dhe të rejat që zgjedhin të shërbejnë me dinjitet në Forcat e Armatosura”, shkruan Vengu.