Përgjigjja e Rusisë ndaj sulmeve të Ukrainës mbi bazat ushtarake ajrore do të përcaktohet nga forcat e armatosura, deklaroi të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, një ditë pasi presidentët Vlladimir Putin dhe Donald Trump diskutuan mbi sulmin në një telefonatë.
“Si dhe kur ushtria jonë ta konsiderojë të përshtatshme”, tha Peskov, duke theksuar se vendimet do të bazohen në gjykimin ushtarak.
Ai shtoi se Moska do të kishte preferuar një dënim më të fortë ndërkombëtar për ato që i quan “sulme terroriste” të Kievit.
Ukraina ndërmori një sulm të papritur më 1 qershor, duke goditur baza ajrore ruse dhe duke synuar, sipas saj, bombardues me rreze të gjatë veprimi.
Peskov pretendoi se autoritetet ukrainase dhanë urdhra të drejtpërdrejtë për sulme në rajonet ruse të Kurskut dhe Bryanskut, përfshirë edhe shpërthimin e një treni, duke e quajtur këtë “terrorizëm në nivel shtetëror”.
Megjithë akuzat, ai tha se Putini vazhdon të mbështesë idenë e mbajtjes së kontakteve me Kievin.
“Biseda ishte konstruktive dhe e nevojshme”, tha Peskov, duke shtuar se, megjithëse të dy liderët ranë dakord se një takim ballë për ballë është i rëndësishëm, një samit i tillë duhet të përgatitet mirë.
Trump tha të mërkurën se “Presidenti Putin deklaroi, dhe shumë fuqishëm, se do të duhet të përgjigjet ndaj sulmeve të fundit mbi bazat ajrore.”