BOTA
2 minuta leximi
Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së ndalon përdorimin e WhatsApp-it për stafin për çështje sigurie
Meta nuk pajtohet me vendimin “në termat më të forta të mundshme”, sipas gjigantit të teknologjisë, i cili ka në pronësi gjithashtu Facebook dhe Instagram.
Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së ndalon përdorimin e WhatsApp-it për stafin për çështje sigurie
Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së ndalon përdorimin e WhatsApp-it për stafin për çështje sigurie / AP
24 Qershor 2025

Platforma e mesazheve WhatsApp, në pronësi të kompanisë Meta, është ndaluar në të gjitha pajisjet e lëshuara nga qeveria amerikane për stafin e Dhomës së Përfaqësuesve, sipas disa mediave, pasi të hënën u dërgua një memo zyrtare që ndalonte përdorimin e saj.

“Zyra e Sigurisë Kibernetike e ka vlerësuar WhatsApp-in si një rrezik të lartë për përdoruesit për shkak të mungesës së transparencës mbi mënyrën se si mbrohen të dhënat e përdoruesve, mungesës së enkriptimit të të dhënave të ruajtura dhe rreziqeve të mundshme të sigurisë që lidhen me përdorimin e tij”, thuhet në memon e dërguar nga zyrtari kryesor administrativ i Dhomës.

Në këtë memo rekomandohej që stafi të përdorë aplikacione të tjera për komunikim, si Wickr e Amazon-it, iMessage dhe FaceTime të Apple-it, si dhe platformën Teams të Microsoft-it dhe aplikacionin Signal.

Një zëdhënës i Metas reagoi duke thënë se kompania “nuk bie dakord me këtë vendim në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, duke shtuar se platforma WhatsApp ofronte një nivel më të lartë sigurie sesa aplikacionet e tjera të përmendura në memon e Dhomës.

Në janar, një zyrtar i WhatsApp-it bëri të ditur se kompania izraelite e spiunazhit kibernetik, Paragon Solutions, kishte shënjestruar dhjetëra përdorues të saj, përfshirë gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Në vitin 2022, Dhoma e Përfaqësuesve ndaloi gjithashtu përdorimin e platformës TikTok për të gjithë stafin, për arsye të ngjashme sigurie.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us