BOTA
4 minuta leximi
Sondazh: 57 për qind e izraelitëve mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme
Qeveria e udhëhequr nga Netanyahu po përballet me presion nga partnerët fetarë të koalicionit për shpërbërjen e Knessetit për shkak të mospajtimeve të pazgjidhura mbi përjashtimin e komunitetit Haredi nga shërbimi ushtarak.
Sondazh: 57 për qind e izraelitëve mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme
Sondazh: 57 për qind e izraelitëve mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme / AA
5 Qershor 2025

Një sondazh i ri i opinionit publik ka zbuluar se 57 për qind e izraelitëve mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe se, nëse ato do të mbaheshin sot, një parti e re e udhëhequr nga ish-kryeministri Naftali Bennett do të dilte e para, duke fituar 24 vende në Knesset.

Sondazhi, i kryer nga televizioni privat izraelit Channel 12 dhe i publikuar mbrëmjen e së mërkurës, tregoi se partia e Bennettit do të siguronte 24 nga 120 vendet në Knesset, e ndjekur nga partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu me 22 vende dhe Partia Demokratike e udhëhequr nga Yair Golan me 12 vende.

Partia ultra-ortodokse Shas, e drejtuar nga Aryeh Deri, dhe Yisrael Beiteinu, e udhëhequr nga Avigdor Lieberman, do të merrte nga 10 vende secila, ndërsa Yesh Atid e Yair Lapid do të siguronte 9 vende. United Torah Judaism, e drejtuar nga Yitzchak Goldknopf, dhe Otzma Yehudit, e udhëhequr nga Itamar Ben Gvir, do të merrnin nga 8 vende secila.

Partia e Unitetit Kombëtar e Benny Gantz do të merrte 7 vende, ndërsa Hadash–Ta’al dhe Lista e Bashkuar Arabe do të siguronin nga 5 vende.

Partitë që nuk arrijnë të kalojnë pragun elektoral (3.25 për qind e votave të vlefshme) përfshijnë Partinë e Sionizmit Fetar të udhëhequr nga ministri i Financave Bezalel Smotrich (2.8 për qind) dhe Partinë Balad (1.2 për qind).

Sa i përket blloqeve politike, partitë opozitare (pa përfshirë fraksionet arabe) do të siguronin 62 vende, ose 72 nëse përfshihen të gjitha grupet opozitare. Koalicioni aktual qeverisës do të binte në vetëm 48 vende.

Për të formuar qeverinë, një kandidat për kryeministër duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 anëtarëve të Knesset-it.

I njëjti sondazh tregoi se 57 për qind e të anketuarve mbështesin zgjedhjet e parakohshme, përfshirë 88 për qind

të votuesve të opozitës, ndërsa 31% për qind janë kundër, përfshirë rreth 60 për qind të mbështetësve të koalicionit.

I pyetur për përfshirjen e partive ultra-ortodokse në qeveritë e ardhshme, 33 për qind e të anketuarve u shprehën në favor të përfshirjes së tyre, 55 për qind kundër, ndërsa 12 për qind ishin të pavendosur.

Sa i përket përparësive elektorale, 43 për qind e të anketuarve theksuan si çështje kryesore dështimin përballë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, të ndjekur nga reforma gjyqësore (20 për qind), ligji për shërbimin ushtarak (17 për qind) dhe Irani (9 për qind), ndërsa 11 për qind nuk ishin të sigurt.

Qeveria aktuale izraelite, e formuar në fund të vitit 2022, është e mandatuar ligjërisht të qëndrojë në detyrë deri në fund të vitit 2026, përveç nëse thirren zgjedhje të parakohshme.

I pyetur se kush është më i përshtatshmi për të shërbyer si kryeministër, 39 për qind zgjodhën Netanyahun, 22 për qind preferuan liderin e opozitës Yair Lapid dhe 32 për qind thanë se asnjëri prej tyre nuk është i përshtatshëm.

Në një krahasim të veçantë, Bennett mori mbështetjen e 39 për qind të të anketuarve, krahasuar me 34 për qind për Netanyahun, ndërsa 20 për qind thanë se asnjëri nuk është i përshtatshëm. Benny Gantz mori 23 për qind në një krahasim të ngjashëm kundrejt 37 për qind për Netanyahun.

Bennett, i cili lançoi një parti të re politike në fillim të prillit nën emrin e përkohshëm “Bennett 2026”, është shfaqur si një sfidues kryesor në mes të krizave politike në rritje brenda qeverisë aktuale të udhëhequr nga Netanyahu, e cila po përballet me presion nga partnerët fetarë të koalicionit për shpërbërjen e Knessetit për shkak të mungesës së një zgjidhjeje mbi përjashtimin nga shërbimi ushtarak për Haredimët, ose hebrenjtë ultra-ortodoksë.

Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndjekur një ofensivë gjenocidale në Gaza që nga tetori 2023, duke vrarë mbi 54.600 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë në mesin e më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us