Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se forcat amerikane kanë arritur t’i përgjigjen me sukses më shumë se dhjetëra raketave të lëshuara nga Irani ndaj një baze ushtarake kyçe në Katar dhe falënderoi Teheranin për, siç tha ai, paralajmërimin e dhënë paraprakisht për kryerjen e sulmit.
Trump tha se asnjë amerikan nuk është lënduar nga këto sulme “shumë të dobëta”, që sipas tij përbëheshin nga 14 raketa të lëshuara nga Irani, përfshirë 13 që janë rrëzuar. Ai shtoi se një raketë nuk është kapur, sepse “po shkonte në një drejtim që nuk paraqiste kërcënim”.
Presidenti amerikan tha se tani është "koha për paqe", ndërsa duket se i ofroi Iranit një rrugëdalje nga armiqësitë që kanë shkaktuar frikë për një përshkallëzim të shpejtë të konfliktit.
“Jam i lumtur të njoftoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe pothuajse nuk është shkaktuar asnjë dëm. Më e rëndësishmja është që ata duket se i kanë 'shkarkuar' ndjenjat e tyre dhe, shpresojmë, nuk do të ketë më urrejtje. Dua të falënderoj Iranin që na informoi herët, gjë që mundësoi që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Ndoshta Irani tani mund të ecë përpara drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin që të bëjë të njëjtën gjë”, shtoi ai.
Trump gjithashtu falënderoi emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, “për gjithçka që ka bërë në përpjekjet për të arritur paqen në rajon”.
Të hënën, Irani lëshoi një breshëri raketash ndaj bazës ajrore amerikane Al Udeid në Katar, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të tensioneve, pasi ShBA-ja kishte goditur mëngjesin e së dielës tre objekte bërthamore në Iran.