Propozimet për referendum në Itali, që synonin lehtësimin e ligjeve për shtetësinë dhe forcimin e rregullave për mbrojtjen e të drejtave në punë, dështuan për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, njoftoi agjencia e sondazheve YouTrend.
Kjo përbën një goditje për opozitën qendro-liberale dhe sindikatat që i mbështetën këto referendume, dhe një fitore për kryeministren Giorgia Meloni, e cila i kundërshtoi fuqishëm ato.
Sipas të dhënave zyrtare nga rreth gjysma e qendrave të votimit, më pak se 30% e votuesve të regjistruar morën pjesë në dy ditët e votimit, shumë më poshtë se pragu prej 50% + 1 të elektoratit që kërkohet për ta bërë votimin ligjërisht të detyrueshëm.
Meloni dhe aleatët e saj të djathtë u bënë thirrje mbështetësve që të bojkotonin votimin. Ajo vizitoi një qendër votimi në Romë të dielën, por nuk hodhi votë, siç kishte paralajmëruar më herët.
Referendumet u mbështetën nga një koalicion partish opozitare të qendrës së majtë, grupe të shoqërisë civile dhe sindikata CGIL, të cilat shpresonin që çështjet e të drejtave të punës dhe krizës demografike në Itali t’i ndihmonin të sfidonin qeverinë Meloni, një sfidë me të cilën kanë pasur vështirësi që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2022.
"Qëllimi i opozitës ishte ta kthente referendumin në një votë kundër qeverisë Meloni. Por, përgjigjja është e qartë: qeveria del më e fortë dhe opozita më e dobët", tha Giovanbattista Fazzolari, sekretar në kabinet dhe bashkëpunëtor i afërt i Melonit.
Pjesëmarrje e ulët
Një nga pesë referendumet propozonte uljen e periudhës së qëndrimit të nevojshme për të aplikuar për shtetësi italiane nga 10 në 5 vjet. Sipas organizatorëve, ky ndryshim do të ndikonte rreth 2,5 milionë persona.
Në një vend që po përballet me rënie të mprehtë të lindshmërisë, disa ekonomistë besojnë se tërheqja e të huajve është thelbësore për rimëkëmbjen e ekonomisë. Grupi të drejtave të njeriut bënë fushatë për votën "Po", duke theksuar rëndësinë e integrimit të punëtorëve migrantë.
Katër pyetjet e tjera në referendum synonin të përmbysnin reformat liberale të tregut të punës të miratuara një dekadë më parë, si dhe të zgjeronin përgjegjësinë ligjore të kompanive për aksidente në punë që përfshijnë kontraktorë dhe nënkontraktorë.
“Qoftë pak mbi apo nën 30 përqind, kjo është një shifër e ulët, nën pritshmëritë dhe objektivat e vendosura nga nismëtarët”, tha Lorenzo Pregliasco nga YouTrend për kanalin italian SkyTG24.
Sipas analizës së të dhënave nga YouTrend, pjesëmarrja ishte më e lartë në rajonet më të pasura të veriut dhe qendrës, si dhe në qytetet e mëdha, ndërsa më e ulët në jugun më pak të zhvilluar. Gjithashtu, pjesëmarrja ishte më e madhe në zonat ku partitë e majta kishin dalë mirë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato evropiane të vitit 2024.