RAJONI
2 minuta leximi
Izraeli, “mikpritës” i turneut të volejbollit për femra në Strumicë
“Volejbollistet tona do të jenë, të themi kushtimisht, mysafire, meqenëse Izraeli është organizator i turneut”, thuhet në një njoftim nga Federata i publikuar në faqen e tyre zyrtare të internetit.
Izraeli, “mikpritës” i turneut të volejbollit për femra në Strumicë
Izraeli, “mikpritës” i turneut të volejbollit për femra në Strumicë / AA
12 Qershor 2025

Turneun e fundit në CEV Ligën e Argjendtë Evropiane 2025, përfaqësuesja seniore e volejbollit të femrave e Maqedonisë së Veriut do ta luajë këtë fundjavë (13–15 qershor) sërish në Strumicë, ka njoftuar Federata e Volejbollit e Maqedonisë së Veriut.

“Volejbollistet tona do të jenë, të themi kushtimisht, mysafire, meqenëse Izraeli është organizator i turneut”, thuhet në njoftimin e Federatës të publikuar në faqen e tyre zyrtare.

Për turneun në Strumicë kanë shkruar edhe mediat maqedonase, të cilat theksojnë faktin se Izraeli do të jetë mikpritës i këtij kompeticioni.

“Është interesante se vajzat do të jenë, kushtimisht thënë, mysafire në turneun e tretë, i cili do të zhvillohet nga 13 deri më 15 qershor në Strumicë, ku Izraeli do të jetë mikpritës. Për shkak të rrethanave ushtarake-politike në të cilat ndodhet Izraeli, ky vend duhet të jetë organizator në një terren neutral, dhe Federata e Volejbollit e Maqedonisë së Veriut pranoi të ofrojë mbështetje logjistike. Përfaqësuesja e tretë në këtë turne është ajo e Gjeorgjisë”, shkruan portali sportiv gol.mk.

Të përzgjedhurat e trajnerit Stefan Paunoviq deri më tani kanë luajtur katër ndeshje dhe kanë dy fitore ndaj Luksemburgut dhe Ishujve Faroe dhe dy humbje nga favoritët Zvicra dhe Austria, ndërsa këtë fundjavë do të përballen me Izraelin dhe Gjeorgjinë.

Shtabi teknik dhe ekipi janë të kënaqur me paraqitjet e deritanishme, por besojnë se në formën më të mirë do të paraqiten në dy ndeshjet e fundit, të cilat për fat të keq do të zhvillohen pa praninë e publikut, njofton Federata e Volejbollit e Maqedonisë së Veriut.

Sipas orarit, volejbollistet maqedonase do të luajnë më 13 qershor (e premte) në orën 19:00 kundër Izraelit, ndërsa një ditë më vonë në të njëjtën orë përballen me Gjeorgjinë në ndeshjen që do të mbyllë pjesëmarrjen e tyre në edicionin e sivjetmë të Ligës së Argjendtë.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us