Në Shqipëri është vendosur që të rinumërohen votat për qarkun e Tiranës dhe qarkun e Fierit, ndërkohë ky proces pritet të fillojë javën e ardhshme.
Procesi i rinumërimit të votave do të realizohet në kuadër të procesit të ankimimeve në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KAS), pasi ky vendim është marrë nga dy prej anëtarëve të KAS-it.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat sot ka deklaruar se procesi i rinumërimit do të realizohet nga stafi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Procesi i hapjes së kutive të fletëve të votimit ka ardhur si kërkesë e dy anëtarëve të KAS-it pas vlerësimit të pretendimeve të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, pretendime të bazuara në të gjithë dokumentacionin dhe pamjet filmike të vëna në dispozicion nga KQZ-ja", thuhet në deklaratën e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, do të rinumërohen 610.301 vota për qarqet Tiranë dhe Fier dhe procesi do të fillojë më 16 ose 17 qershor.
Gjithashtu theksohet se procesi i rinumërimit të votave për dy qarqet parashikohet të zgjasë 18-20 ditë.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
Më 11 maj 2025, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Sipas rezultateve paraprake nga KQZ-ja, Partia Socialiste (PS) në pushtet, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, fitoi me 53,27 për qind, duke siguruar 83 mandate.
Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (AShM), renditet i dyti me 32.93 për qind ose 50 mandate.
Partia Socialdemokrate, sa i përket numrit paraprak të mandateve, renditet e treta me 3,10 për qind për qind të votave ose 3 mandate.
Gjithashtu, mandate kanë siguruar edhe disa parti të reja, si Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" një mandat dhe Partia Lëvizja Bashkë një mandat.
Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, KQZ-ja do të shpallë zyrtarisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.