RAJONI
2 minuta leximi
Ambasadori i BE-së në Kosovë kërkon formimin e qeverisë së re
Orav tha se Kosova mund t'i bëjë gjërat dhe të anëtarësohet në BE, derisa theksoi se "argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë BE-së"
Ambasadori i BE-së në Kosovë kërkon formimin e qeverisë së re
Ambasadori i BE-së në Kosovë kërkon formimin e qeverisë së re / AA
28 Maj 2025

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav ka thënë se BE-ja dëshiron formimin e qeverisë së re në mënyrë që të ketë një partner bashkëpunues.

Orav në një konferencë të organizuar nga shoqëria civile me titull "Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje", tha se BE-së i duhet një partner në Kosovë në mënyrë që të diskutojë me të hapat konkret drejt integrimit evropian.

"Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër BE-së. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë ai.

Orav tha se Kosova mund t'i bëjë gjërat dhe të anëtarësohet në BE, derisa theksoi se "argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë BE-së".

Ambasadori i BE-së shtoi se qëndrimi i BE-së për mbylljen e institucioneve në veri është i qartë, derisa përsëriti se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por ka thënë se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.

"Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por, për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu", ka thënë Orav.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet të trajtohet seriozisht dhe pa vonesa.

Në Kosovë nga zgjedhjet e përgjithshme të rregullta të mbajtura më 9 shkurt 2025, ende nuk kanë arritur të formohen institucionet e reja.

Që nga 15 prilli kur u mbajt për herë të parë seanca konstituive, ende nuk po arrihet unanimitet politik për votimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për të cilin partia më e madhe nuk i ka votat e mjaftueshme që ta votojë pa mbështetjen edhe të partive ish-opozitare.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us