Ministri izraelit i banesave dhe ndërtimit, Yitzhak Goldknopf, dha dorëheqje të enjten për shkak të dështimit të qeverisë që të miratojë një ligj që do t’i lironte hebrenjtë ultraortodoksë nga shërbimi ushtarak, shkruajnë gazetat "Yedioth Ahronoth".
Dorëheqja vjen në një kohë kur komunitetet ultraortodokse vazhdojnë të protestojnë kundër shërbimit ushtarak pas vendimit të Gjykatës Supreme më 25 qershor 2024, me të cilin ata detyrohen të regjistrohen dhe ndalohet mbështetja financiare për institucionet fetare, ku studentët refuzojnë të shërbejnë.
Hebrenjtë ultraortodoksë, ose Haredi, përbëjnë rreth 13 për qind të dhjetë milionë banorëve të Izraelit.
Ata kundërshtojnë shërbimin ushtarak për arsye fetare, duke pretenduar se studimi i Torës është detyra e tyre kryesore dhe se integrimi në shoqërinë sekulare kërcënon identitetin e tyre fetar dhe kohezionin e komunitetit.